KUVENDI MIRATOI LIGJIN PËR PARANDALIMIN E PASTRIMIT TË PARAVE

Deputetët në Kuvendin e Malit të Zi miratuan një projektligj për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe një projektligj për ndryshime në Kodin Penal të Malit të Zi.

Projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit u miratua me 64 vota pro dhe asnjë kundër.

Projektligji për ndryshime në Kodin Penal të Malit të Zi u miratua me 63 vota pro dhe asnjë kundër.

Kryeparlamentari Andrija Mandiq tha se qëllimi i ligjit është të eliminojë dobësitë e perceptuara në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Ligji hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Votimi pasoi 11 orë diskutim.

Mbas seancës deputeti nga radhët e Forumit Shqiptar Nikollë Camaj tha se në Parlamentin e Malit të Zi, njëzëri u miratua “Ligji mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe finansimit të terorizmit”, ligj ky tepër i rëndësishëm për agjenden europiane të shtetit, si edhe për shmangie të “listës gri”.

„E veçanta e këtij ligji është se edhe pse shkaktoi një debatë të ashpër, ai prodhoi konsenzus të plotë, çka jep shpresë për një bashkëpunim të opozitës, në rrugëtimin europian të Malit të Zi,“ theksoi Camaj.

SHARE