Përveç “Sky” dhe “Encrochat”, të cilat njihen si rrjetet e përdorura masivisht nga krimi i organizuar, në skenë kanë dalë dhe dy aplikacione të reja, për të cilat ka nisur çkodimi i bisedave dhe identifikimi i përdoruesve.
Edhe për këto aplikacione të reja, punonjësit e Policisë së Shtetit, gardës së Republikës dhe AMP do të duhet të vetëdeklarohen si masë për pastrimin e policisë nga të inkriminuarit.
“Do të jem në Janar në një vizitë në Europol për të folur për dy aplikacione të reja, për të cilat Europol po administron informacionin e duhur’, tha Balla.
Në rast se punonjësit e policisë deklarojnë se kanë përdorur këto aplikacione, duke specifikuar kohën dhe arsyen e përdorimit, ata përjashtohen menjëherë nga detyra. Plotësimi i tij nis në janar dhe do të jetë pjesë e dosjes së çdo punonjësi.
Gjatë veprimtarisë së saj mbikëqyrëse agjencia në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese do të verifikojë vërtetësinë e të dhënave të deklarimit. Nëse konstatohet deklarim i rremë, sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe përgjithmonë nga detyra.