Foto: Biznis CG
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujrave e Malit të Zi ka njoftuar se është nisur një projekt i përbashkët midis Malit të Zi, Shqipërisë dhe Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së Kombeve të Bashkuara (FAO), me vlerë 180 mijë dollarë, për përmirësimin e menaxhimit të peshkimit në Liqenin e Shkodrës.
Në kuadër të këtij projekti u mbajt në Shkodër konferenca fillestare, e organizuar nga FAO dhe ministritë përkatëse të bujqësisë të dy vendeve, me temën “Mbështetje për integrimin e qasjes ekosistemore në menaxhimin e peshkimit në Liqenin e Shkodrës”.
Qëllimi kryesor i projektit është forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar mes Malit të Zi dhe Shqipërisë për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve të peshkut dhe biodiversitetit në liqenin më të madh të Ballkanit.
Zyrtari i Ministrisë, Nemanja Pajoviq, theksoi se liqeni përballet me sfida serioze si peshkimi i tepruar, speciet invazive, peshkimi ilegal dhe mungesa e harmonizimit të rregulloreve, ndërsa projekti do të ndihmojë në modernizimin e sistemit të monitorimit dhe menaxhimit të burimeve natyrore.
Ai theksoi nevojën për një sistem më efikas, të bazuar në të dhëna shkencore dhe në përfshirjen e komuniteteve lokale.
Projekti parashikon krijimin e një grupi të përbashkët ndërkufitar pune, ngritjen e sistemit për monitorimin e burimeve të peshkut dhe organizimin e trajnimeve për komunitetet lokale mbi praktikat e qëndrueshme të peshkimit.
Koordinatore e FAO-s për Malin e Zi, Jovana Shukoviq, u shpreh se rezultatet e projektit do të kontribuojnë në mbrojtjen afatgjatë të biodiversitetit, forcimin e qëndrueshmërisë së komuniteteve lokale dhe përmirësimin e kushteve socio-ekonomike në zonën e Liqenit të Shkodrës.
Ndërsa Nikol Ulama, këshilltare për peshkimin ujërash të ëmbla, theksoi se projekti është shprehje e përkushtimit të përbashkët për ruajtjen e resurseve natyrore dhe krijimin e një të ardhmeje të qëndrueshme. Ajo shtoi se efektet e vërteta do të ndihen kur grupi ndërkufitar i punës të institucionalizohet dhe të vendoset një sistem i rregullt shkëmbimi të dhënash e bashkëpunimi mes peshkatarëve të dy vendeve.











