Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Në kuadër të shënimit të Javës Evropiane të Cilësisë, Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi dhe Kryeqyteti Podgoricë kanë nënshkruar projektin për zbatimin e modelit CAF (Common Assessment Framework) – model evropian i menaxhimit të cilësisë i dedikuar sektorit publik.
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, theksoi se Ministria, si institucioni i parë në Mal të Zi që ka marrë certifikatën e Përdoruesit Efikas të modelit CAF, ka përgjegjësinë për futjen sistematike të këtij standardi të cilësisë në institucionet publike.
Për herë të parë në këtë rol, Ministria do të ofrojë mbështetje eksperte për Kryeqytetin Podgoricë, në partneritet me Shkollën Rajonale të Administratës Publike – ReSPA.
Ministri Dukaj theksoi se ky bashkëpunim forcon përkushtimin ndaj cilësisë, përgjegjësisë dhe rezultateve të matshme, me synimin për të krijuar një administratë moderne, transparente dhe efikase, ku qytetarët ndiejnë përmirësime përmes shërbimeve më të shpejta dhe më cilësore.
Kryetari i Podgoricës, Sasha Mujoviq, u shpreh se me kënaqësi nisin zbatimin e modelit CAF, duke ndjekur shembullin e Ministrisë së Administratës Publike që ka vendosur standarde të larta të cilësisë dhe menaxhimit përgjegjës.
Ai shtoi se vizioni i Kryeqytetit është të bëhet një administratë moderne, e hapur dhe efikase, që përmirësohet vazhdimisht dhe i përgjigjet nevojave të qytetarëve.
Modeli CAF do të zbatohet fillimisht nga Sekretariati për vetëqeverisje lokale dhe bashkëpunim me shoqërinë civile i Kryeqytetit, i cili pas implementimit do të marrë certifikatën e cilësisë, të njëjtë me atë që ka Ministria e Administratës Publike dhe administratat publike në BE. Më pas, projekti do të zgjerohet në të gjitha organet e Kryeqytetit.
Qëllimi përfundimtar është që qytetarët e Podgoricës të përfitojnë shërbime më të shpejta, më të thjeshta dhe më cilësore.
Në fund, ministri Dukaj ftoi edhe komunat e tjera që t’i bashkohen këtij procesi për ndërtimin e një administrate moderne dhe efikase me nëpunës kompetentë.











