SHQIPËRI, PENSIONISTËT ORGANIZOJNË PROTESTË

Në Shqipëri pensionistët kanë organizuar një protestë me kërkesat për rritjen e pensioneve dhe përmirësimin e shërbimeve sociale ndaj tyre, raporton Anadolu.

Protesta është organizuar me mbështetjen e organizatave dhe grupimeve që mbështesin pensionistët në Shqipëri, me kërkesat për rritjen e pensioneve të kategorive të ndryshme dhe përmirësimin e shërbimeve të institucioneve ndaj pensionistëve.

Dhjetëra pensionistë të mbështetur dhe nga qytetarë të moshave të ndryshme janë mbledhur para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Në fjalimet e tyre, disa nga pjesëmarrësit në protestë kërkuan “pensione dinjitoze dhe miratimin e një minimumi jetik”, ndërkohë mbanin në duar pankartat me mbishkrime “Jo pensione poshtë 200 euro”, “Nuk kërkojmë lëmoshë, por hak”, “Hiqni dorë nga korrupsioni, të rritet pensioni”.

Sipas organizatorëve, protestat e pensionistëve do të vazhdojnë edhe në javët në vazhdim në Tiranë dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë.

Nga ana tjetër kujtojmë se Qeveria e Shqipërisë në shtator të vitit 2024 miratoi një vendim për indeksimin e pensioneve me 4,1 për qind.

Sipas të dhënave të autoriteteve shqiptare, nga rritja e pensioneve e parashikuar në këtë vendim përfitojnë rreth 791.257 përfitues që marrin pensione të plota, pensione të pjesshme, pensione të reduktuara dhe pensione të parakohshme të pleqërisë, pensione të invaliditetit, pensione familjare si dhe pensione që rrjedhin nga skema suplementare dhe trajtimet e veçanta.

SHARE