Bashkimi Evropian propozon rregulla më të rrepta në lidhje me emetimet e veturave të reja

Në mbledhjen e tyre të fundit, Bashkimi Evropian ka paraqitur një propozim të ri në lidhje me emetimet më të rrepta në botë për automjetet e reja motorike nga mesi i vitit 2025, teksa furgonët, kamionët dhe autobusët do të duhet të jenë në përputhje me objektivat “pothuajse të pamundura” dy vjet më vonë.

Ligjet e propozuara në këtë mbledhje – të referuara me emrin “Euro 7” – do të fokusohen në uljen e emetimeve të oksidit të azotit (NOx) me 35 për qind, me të gjitha automjetet të kufizohen në 60 miligramë NOx për kilometër, duke sjellë veturat me naftë në përputhje me veturat me benzinë.

Ky ndryshim, përfaqëson një reduktim prej 25 për qind për emetimet e NOx nga veturat me naftë dhe vlerësohet të kontribuojë në një reduktim prej 50 për qind të emetimeve totale të NOx nga makinat deri në vitin 2035, kjo nëse krahasohet me nivelet e vitit 2018, raporton Drive, përcjell Telegrafi.

Me ligjet e reja, veturave dhe kamionëve të rinj, do t’u kërkohet që të kenë sisteme të monitorimit të emetimeve në bord (OBM), në mënyrë që të sigurohen që ndotësit të mbahen brenda kufijve ligjorë.

Për më tepër, këto kufizime duhet të përmbushen deri në 200,000 kilometra ose 10 vjet – duke dyfishuar kërkesat aktuale të distancës dhe moshës.

Pas propozimit të këtij ligji të ri, individët e industrisë së veturave, e kanë akuzuar Bashkimin Evropian për vendosjen e objektivave “jorealiste” dhe “pothuajse të pamundura” për reduktimet e emetimeve, por në fakt, vetëm pak prej atyre individëve do ta thonë këtë publikisht.

Ligjet aktuale të “Euro 6” rregullojnë emetimet e oksideve të azotit (NOx), monoksidit të karbonit (CO), grimcave, hidrokarbureve, metanit dhe amoniakut për automjetet e rënda.

Propozimi i ri Euro 7 zgjeron kufijtë e amoniakut për të gjitha automjetet, si dhe vendos kufij në daljen e gazrave formaldehid dhe oksid azoti (N2O).

Sipas propozimit të fundit të Bashkimit Evropian, standardet e reja Euro 7 do të zbatohen përfundimisht për të gjitha automjetet e shitura në Evropë, pavarësisht nëse janë benzinë, naftë, elektrike, hidrogjen ose kamionë ose autobusë të rëndë.

Tutje, Komisioni i BE-së thotë se ndryshimet e propozuara do të kenë ndikim edhe përtej Evropës.

“Do të ketë gjithashtu avantazhe edhe për tregjet e eksportit, pasi disa vende jashtë Bashkimit Evropian, si Australia, Brazili, Kina ose India, priren që të bazojnë ligjet e tyre në ligjet e emetimit të Evropës”, thuhet në deklaratën e Komisionit.

Ligjet e propozuara të Euro 7 do të prezantojnë gjithashtu edhe standardet e qëndrueshmërisë së baterive për veturat elektrike në mënyrë që të ndihmojnë në “rritjen e ndërgjegjësimit dhe besimit të konsumatorëve”, ndërsa veturat hibride “plug-in” mund të detyrohen që të kalojnë në vozitje me energji të pastër në momentin kur ato hyjnë në qendrat e qyteteve.

Ndërsa, figura të larta brenda industrisë së automobilave i kanë kritikuar rregulloret si të pabalancuara, të gabuara dhe pothuajse të pamundura.

“Fatkeqësisht, përfitimi mjedisor i propozimit të Komisionit është shumë i kufizuar, ndërsa rrit shumë koston e automjeteve”, tha drejtori ekzekutiv i BMW, i cili është edhe president i Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automobilave. /Telegrafi/

SHARE