Përmbushja e kritereve të përkohshme nga kapitujt 23 dhe 24 është prioritet për Malin e Zi në procesin e mëtejshëm të para-anëtarësimit drejt Bashkimit Evropian (BE), tha Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varheli. “Për ta arritur këtë, Mali i Zi duhet të intensifikojë përpjekjet e tij në zgjidhjen e çështjeve të mbetura të pazgjidhura, duke përfshirë ato të tilla si liria e shprehjes dhe liria e medias, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,” tha Varheli. Ai, duke prezantuar pakon e zgjerimit në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, tha se Komisioni Evropian i ka dhënë të njëjtin vlerësim edhe Malit të Zi vitin e kaluar, por se këto çështje ende janë shqetësuese. Ai theksoi se nevojiten hapa të mëtejshëm, duke përfshirë emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Prandaj, ndërtimi i një konsensusi të të gjithë aktorëve politikë dhe një administrate publike funksionale për zbatimin e reformës publike janë të një rëndësie kyçe”, tha Komisioneri Evropian për Zgjerim. Ai tha se është e lavdërueshme që Mali i Zi vazhdon të përafrohet me politikën e jashtme të BE-së.