PREZANTOHET PROGRES-RAPORTI I KOMISIONIT EVROPIAN PËR SHQIPËRINË, KOSOVËN DHE BOSNJE E HERCEGOVINËM

Komisioni europian vlerëson ecurinë e Shqipërisë në rrugën e reformave që lidhen me procesin e integrimit, duke theksuar se ajo duhet të përparojë më tej se bashku me opozitën dhe shoqërinë civile. “Shqipëria ka vijuar të bëjë progres dhe ka dhënë rezultate”- kështu u shpreh komisioneri Oliver Varhelyi në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku prezantoi raportin vjetor të zgjerimit të BE-së. “Shqipëria ka vijuar të bëjë progres dhe ka dhënë rezultate. Reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut që po vijon janë shembuj të një pune të mirë. Shqipëria ka luftuar krimin dhe korrupsionin. Shqipëria ka mbajtur 100% linjën evropiane për luftën në Ukrainë. E drejta e pronës, liria e medias, shteti i së drejtës janë çështje shumë të rëndësishme. Ne kemi thënë këtë gjë edhe vititn e kaluar por këto sfida janë të rëndësishme për ne. Angazhimi politik dhe konsensusi i të gjithë aktorëve politik dhe një administratë e pavarur dhe profesionale janë të domosdoshme”, tha Varhelyi. Kosova, po ashtu, vlerësohet për përshtatjen me qëndrimet e BE-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë. Përsëritet se Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Në raport theksohet se ka një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje. Gjatë fjalimit, edhe Varhelyi tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave. Sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, raporti kujton se ka pasur takime të rregullta në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, ndërsa përmend edhe takimin më 18 gusht midis liderëve të të dyja shteteve. Nga të dyja vendet kërkohet që t’i përmbushin të gjitha marrëveshjet e arritura më herët në dialog, ndërsa u kërkohet edhe angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që do t’i normalizonte marrëdhëniet mes tyre. Komisioni Evropian rekomandoi të mërkurën që Bosnje dhe Hercegovinës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha se vendimi final për këtë vend pritet të merret në muajin dhjetor. Rekomandimi për Bosnjën u tha se është i kushtëzuar, pasi Komisioni pret plotësimin e tetë kushteve specifike që lidhen me miratimin e ligjeve për gjykatat dhe prokurorinë, parandalimin e konfliktit të interesit, lirinë e shprehjes dhe migracionin. Paraprakisht, Kolegji i Komisionarëve Evropianë miratoi paketën vjetore të zgjerimit, ashtu si edhe raportet e progresit për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.

SHARE