Shija Shqiptare – Akullore Unike me Çaj Mali

Çaji i malit është ndoshta pija më e famshme e nxehtë e Shqipërisë. Ka shumë njerëz që nuk heqin dorë nga çaji i malit edhe në stinën e verës, ndaj AgroWeb.org ju sugjeron ta ktheni këtë pije kombëtare në aromën më të re të akulloreve. Një akullore me çaj mali është perfekte, e ëmbël dhe freskuese sidomos pas një vakti krejt tradicional vendas.

Çfarë ju nevojitet:

  • 3 lugë gjelle me çaj mali të grirë
  • 150 ml ujë të ngrohtë
  • 2 të bardha veze
  • 5 lugë gjelle me sheqer pluhur
  • Treçerek gote me qumësht të plotë
  • Ujë dhe akull për ftohje
  • Treçerek gote me ajkë qumështi të rrahur ose pana ose krem ëmbëlsirash

Përgatitja:

Merrni një çajnik të vogël. Hidhni ujin e nxehtë dhe çajin e malit. Lërini të ziejnë për 3-4 minuta në mënyrë që çaji i malit të çlirojë të gjithë ekstraktet e tij magjike. Hiqeni nga zjarri dhe lëreni lëngun të ftohet.

Merrni të bardhat e vezët dhe hidhini në një tenxhere të vogël duke i rrahur ngadalë. Shtoni sheqerin dhe përzijini së bashku deri sa të treten në mënyrë të njëtrajtshme.

Vendoseni në zjarr të ulët dhe përzijeni vazhdimisht duke mos lejuar ngjitjen në pjesën fundore të tenxheres. Kur masa të trashet, hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni mënjanë.

Më pas tenxheren zhyteni në një enë më të madhe të mbushur me ujë të ftohtë dhe akull që masa e vezës dhe sheqerit të ftohet siç duhet. Shtoni 50 mililitra të çajit të malit dhe përzijeni mirë. Shtoni panën ose ajkën e rrahur të qumështit dhe vazhdoni përzierjen duke u kujdesur që masa e përgatitur të jetë uniforme.

Bashkoni të gjithë përbërësit e mbetur dhe më pas masën hidheni në mikserin e akullores. Pastaj futeni në një enë me kapak të puthitur mirë dhe lëreni në ngrirje për 8 orë ose më gjatë. Nëse përdorni makineri të veçantë, atëherë ndiqni udhëzimet e saj për përgatitjen e akullores.

Një makineri e veçantë për prodhimin e akullores mund t’ju vijë në ndihmë, por nëse nuk ju gjendet një e tillë, atëherë masën e akullores mund ta ruani në një enë të izoluar mirë në ndarjen e ngrirjes në frigorifer. Përzijeni vazhdimisht ndërkohë që akullorja bëhet më e ngurtë./AgroWeb.org

SHARE