“PO DISKRIMINONI SHQIPTARËT”, SENATORËT AMERIKANË “LLOGARI” BLINKENIT PËR PRESHEVËN

Dy senatorët amerikane i kërkuan përmes një letre sekretarit të jashtëm Antony Blinken llogari për diskriminimit që Serbia po u bën shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Bashkëkryesuesit e Grupit për Çështje Shqiptare në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Joni Ernst dhe Gary Peters i janë drejtuar kreut të diplomacisë amerikane për kauzën e shqiptarëve etnikë atje. Ishte Fatos Bislimi, anëtar i bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, që e njoftoi këtë gjë në faqen e tij të Facebook, shoqëruar me foton e letrës së firmosur nga të dy ligjvënësit në fjalë. Kërkesa e drejtuar Blinkenit është që të ngrejë temën e çështjes shqiptare në Luginë në çdo komunikim apo takim me autoritetet serbe.

“Letra nënvizon faktet tanimë të vërtetuara ndërkombëtarisht, qoftë përmes Raporteve të vet Departamentit të Shtetit apo edhe Rezolutës së Parlamentit Europian të Majit 2023, mbi diskriminimin shtetëror ndaj shqiptarëve në Luginë, me theks të veçantë, pasi vizimin e adresave si metodë administrative e spastrimit etnik”, ka shkruar Bislimi.

Senatorët apelojnë aty për zbatimin e Planit Shtatëpikesh për të drejtat shqiptare në Luginë i pranuar edhe nga Serbia që më 2013.

“Që nga ajo kohë, progresi i Beogradit zyrtar në implementimin e këtij plani, ka qenë i kufizuar. Asnjë nga pikat prioritare nuk është realizuar në tërësi, ndërsa tek përfaqësimi në institucione qeveritare, nuk ka pasur aspak progres,” thuhet në letrën që vjen vetëm pak muaj pas një hapi të ngjashëm të kongresmenëve Jim Himes e Richie Torres, drejtuar po sekretarit Blinken me në fokus Luginën e Preshevës.

SHARE