PICULLA: QEVERIA E ARDHSHME DUHET TË BJERË DAKORD PËR QËLLIMET THEMELORE

Raportuesi i Parlamentit Evropian (PE) për Malin e Zi, Tonino Piculla, vlerësoi se qeveria e ardhshme malazeze duhet të jetë sa më koherente sa i përket qëllimeve themelore dhe orientimit të njohur të politikës së jashtme të Podgoricës. 

“Në një demokraci, zëri i atyre që mendojnë ndryshe është gjithashtu legjitim, por kjo nuk do të thotë se vlerat e tyre, të cilat janë të papajtueshme me politikën properëndimore, duhet të praktikohen edhe si pushtet ekzekutiv. Ky lloj konfrontimi i interesit ideologjik brenda mazhorancës qeverisëse tashmë i ka kushtuar mjaft Malit të Zi në tre vitet e fundit”, tha Piculla në një intervistë për “Vijesti”. 

Ai theksoi se deri në fund të këtij muaji në komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian do ta prezantojë projekt-rezolutën e PE-së për Malin e Zi dhe se është planifikuar miratimi i saj në njërën nga seancat plenare të Parlamentit në tetor.  

“Mendoj se me rezolutën arritëm të mbulojmë një vit dinamik, i cili, për fat të keq, për Malin e Zi, në ndryshim nga trazirat e mëdha të brendshme politike, ishte një vit stagnimi në rrugën evropiane”, tha Piculla. 

Duke folur për njoftimet për zgjerimin e BE-së deri në vitin 2030, Piculla tha se është e rëndësishme që Mali i Zi, pavarësisht nga interpretimet e ndryshme të politikës evropiane të zgjerimit – që ka pasur dhe do të ketë, të mbajë fokusin në atë që duhet të ndryshojë në vend.  

“Jo vetëm për shkak të anëtarësimit në BE, por për shkak të vetë vendit, për shkak të qytetarëve që meritojnë të jetojnë në një vend të rregullt dhe të prosperuar. E ardhmja e politikës së zgjerimit është e hapur kur flasim për disa afate, por përvoja tregon se faktori kyç është vullneti politik”, theksoi Piculla. 

SHARE