MBAHET TAKIMI I LIDERËVE TË PROCESIT BRDO-BRIONI, MIRATOHET “DEKLARATA E SHKUPIT”

Presidentët e vendeve pjesëmarrëse në Procesin Brdo-Brioni në takimin e sotëm të mbajtur në Maqedoninë e Veriut kanë miratuar “Deklaratën e Shkupit”.

Teksti zyrtar i deklaratës është i harmonizuar në gjuhën angleze dhe thekson “rëndësinë jetike të përshpejtimit të procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE), nevojën për t’u përshtatur me efektet e ndryshimeve klimatike dhe debatin në lidhje me masat për të siguruar vitalitetin e shoqërive duke mbajtur të rinjtë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Presidentët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë, u angazhuan duke ri-konfirmuar qëndrimin në lidhje me politikën e zgjerimit të BE-së dhe perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor për të “intensifikuar dialogun strategjik me institucionet e BE-së për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në BE dhe për të parandaluar neglizhimin e rajonit.

“BE-ja, si dhe Ballkani Perëndimor, duhet të jenë të gatshme për zgjerim sa më shpejt të jetë e mundur, por ky qëllim të mos arrihet më vonë se 2030”, theksohet në deklaratë.

Në lidhje me agresionin e vazhdueshëm rus kundër Ukrainës dhe efektin e shtrirjes së saj në Ballkanin Perëndimor, Deklarata e Shkupit përsërit nevojën për një BE të fortë, rezistuese dhe gjithëpërfshirëse, me Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj.

“Ne pranuam faktin se reformat gjithëpërfshirëse politike, ekonomike dhe sociale janë thelbësore për anëtarësimin në BE. Ne angazhohemi të intensifikojmë përpjekjet tona në zbatimin e reformave në Ballkanin Perëndimor që synojnë forcimin e shtetit ligjor, përparimin, funksionimin e institucioneve demokratike dhe administratës publike”, thuhet në deklaratë.

Pjesëmarrësit gjithashtu u angazhuan të punojnë së bashku për të nxitur një atmosferë besimi të ndërsjellë, mirëkuptim, zgjidhje paqësore dhe afatgjate të çështjeve të hapura dypalëshe.

“Ne theksojmë rëndësinë e arritjes së përfitimeve dhe mundësive të dukshme për qytetarët e Ballkanit Perëndimor edhe para anëtarësimit formal. Prandaj, ne ftojmë BE-në të marrë në konsideratë hapjen e shtigjeve që do t’i mundësojnë Ballkanit Perëndimor qasje në politika, iniciativa dhe fonde specifike të BE-së, duke sjellë kështu edhe sot disa nga përfitimet e anëtarësimit në BE për popujt e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratë.

SHARE