MALI I ZI ËSHTË AFËR SYNIMIT PËR TË KRIJUAR NJË QEVERI TË QËNDRUESHME

Mali i Zi është afër synimit të krijimit të një qeverie të qëndrueshme politike përmes procedurave demokratike, përfshirë zgjedhjet parlamentare, të cilat do të vazhdojnë ta udhëheqin vendin në rrugën e zhvillimit evropian, tha presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Pas takimit të liderëve të Procesit Brdo-Brioni, ai tha se në samit ka përmendur se Mali i Zi dy vitet e fundit po kalon një fazë interesante të zhvillimit demokratik. Gjukanoviq shtoi se ndoshta nga pikëpamja e fqinjëve, rajonit dhe Bashkimit Evropian (BE), mund të duket gjithashtu problematike, por që edhe në atë periudhë, Mali i Zi tregoi një vendosmëri të fortë për të vazhduar rrugën evropiane dhe i përballoi të gjitha provat që kaloi. “Sot, Mali i Zi është më afër se në çdo kohë gjatë këtyre dy viteve me qëllimin e tij, që është të arrijë një qeverisje politike stabile përmes procedurave demokratike, duke përfshirë zgjedhjet parlamentare, të cilat do të vazhdojnë ta udhëheqin vendin në rrugën e zhvillimit evropian”, tha Gjukanoviq. Siç tha ai, në të gjithë periudhën që nga viti 2006, Mali i Zi ka qenë një promovues i rëndësishëm i vlerave evropiane në rajon. “Dhe jam i bindur se kështu do të jetë edhe në të ardhmen dhe se Mali i Zi do të vazhdojë me bashkëpunimin intensiv brenda rajonit, duke besuar se ky bashkëpunim rajonal do të na ndihmojë të gjithëve që të arrijmë objektivin tonë evropian sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Gjukanoviq. Ai tha se si zakonisht tema kryesore e Samitit ishte perspektiva evropiane e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

SHARE