NË 79.8% TË LOKACIONEVE, UJI I DETIT KA QENË ME CILËSI TË SHKËLQYER

Foto: RTNK

Mbi 79% e plazheve në bregdetin e Malit të Zi kanë ujë deti me cilësi të shkëlqyer, sipas analizës së fundit të Institutit për Biologji të Detit.

Kontrolli i rregullt i ujit dhe kushtet në plazhe janë pjesë e përpjekjeve për ta bërë zonën bregdetare më të sigurt për banorët dhe turistët.

Analiza e cilësisë së ujit të detit në 114 lokacione, e realizuar nga Instituti për Biologji të Detit në periudhën 28–30 korrik, tregon se në 79.8% të lokacioneve uji ka qenë me cilësi të shkëlqyer, në 11.4% me cilësi të mirë, dhe në 8.8% me cilësi të kënaqshme.

Kjo do të thotë se uji në plazhet në Mal të Zi është i sigurt për larje dhe rekreacion.

Analizat realizohen çdo dy javë në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike për Menaxhimin e Pasurive Detare, e cila kujdeset jo vetëm për cilësinë e ujit, por edhe për standardet që duhet të përmbushin të gjithë qiramarrësit e plazheve.

Këto standarde përfshijnë: tabela informuese, mobilim të rregullt, dushë dhe kabina për ndërrim, mbeturina dhe mbikëqyrje nga shërbimi i shpëtimit.

Mosrespektimi i rregullave sjell paralajmërime ose në raste të rënda, shkëputje të kontratës dhe aktivizim të garancisë financiare.

Përveç kësaj, kontrollorët e Ndërmarrjes punojnë me turne gjatë gjithë verës, duke inspektuar dhe raportuar çdo shkelje autoriteteve përkatëse.

Në kompetencë të ndërmarrjes është edhe menaxhimi i linjës së trageteve, që nga marrja në menaxhim ka transportuar mbi 4 milionë automjete, duke gjeneruar mbi 20 milionë euro të ardhura.

Aktualisht është në fuqi plani veror i lundrimit, me tragete që nisen çdo 15 deri në 20 minuta, ditën dhe natën.

Të gjitha mjetet janë funksionale dhe ofrojnë Wi-Fi falas, ndërsa që nga gushti i vitit 2024, është aktivizuar edhe blerja online e biletave, për të shmangur radhët në sportele dhe për të lehtësuar qarkullimin në ditët e nxehta të verës.

SHARE