AUSTRIA, MBËSHTETJE E FORTË PËR INTEGRIMIN EVROPIAN TË MALIT TË ZI

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Austria konfirmon mbështetjen e saj për integrimin evropian të Malit të Zi dhe tregon solidaritet të prekshëm në kohën më të vështirë, ky ishte mesazhi nga takimi i zhvilluar në Podgoricë ndërmjet kryeministrit të Malit të Zi Millojko Spajiq dhe kancelarit të Austrisë Kristijan Shtoker.

Kancelari austriak Kristijan Shtoker e ka nisur vizitën e tij të parë në Ballkanin Perëndimor pikërisht në Mal të Zi, duke sjellë mbështetje konkrete në kohën kur vendi po përballet me zjarrëfikje të shumta dhe emergjente.

Më shumë se 100 zjarrfikës austriakë dhe pajisje për fikjen e zjarreve pritet të mbërrijnë së shpejti në Mal të Zi, si pjesë e ndihmës emergjente.

Kryeministri Spajiq e cilësoi këtë si shembull të qartë të solidaritetit evropian në vepër. Në takim, dy liderët nënshkruan edhe Deklaratën Politike për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, e cila synon nxitjen e projekteve të përbashkëta dhe afrimin ekonomik të dy vendeve, në kuadër të integrimit të Malit të Zi në tregun e përbashkët evropian.

Premtimi i Austrisë për të qenë një mbështetëse e fortë e anëtarësimit të Malit të Zi në BE u konfirmua edhe nga vetë kancelari Shtoker, i cili vuri në dukje se Austria dhe Mali i Zi ndajnë një të kaluar të përbashkët dhe një të ardhme të përbashkët në BE.

Nga ana tjetër, Spajiq theksoi se Mali i Zi po ecën me ritëm të mirë drejt përmbushjes së agjendës evropiane, duke shpalosur planin që vendi të mbyllë të gjithë kapitujt negociues deri në fund të vitit 2026 dhe të bëhet anëtar me të drejta të plota në vitin 2028.

SHARE