Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Rinisë, ku institucione dhe organizata të ndryshme të shoqërisë civile organizojnë aktivitete dhe prezantojnë studime dhe raporte mbi sfidat dhe problematikat me të cilat përballen të rinjtë. Një grup i aktivistëve të shoqërisë civile në Shqipëri, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, kanë publikuar online rezultatet e anketës kombëtare me temë “Rinia: Regres apo Progres”, me fokus evidentimin e sfidave dhe problematikave me të cilat përballen çdo ditë të jetesës së tyre të rinjtë në Shqipëri. Sipas rezultateve të anketës, 97 për qind e të rinjve të anketuar shprehen se rritja e çmimeve ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në mirëqenien e tyre. Gjithashtu theksohet se 89 për qind e të rinjve e kanë shumë të vështirë dhe pothuajse të pamundur përballimin e kostove të jetesës. Ndërkohë, të rinjtë janë pyetur edhe për proceset zgjedhore, ku 40 për qind e të rinjve të anketuar shprehen se nuk do të shkojnë të votojnë në zgjedhjet vendore 2023 dhe se 29 për qind e tyre janë ende të pavendosur për të votuar. Me pyetjen “Kur bëhet mirë?” dhe disa valixhe të mbuluara me uniforma të profesioneve të ndryshme është shënuar në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë Dita Ndërkombëtare e Rinisë. Ky aksion rrugor i organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR), ka për qëllim të përçojë shqetësimin e ikjes së të rinjve nga Kosova, me theks të veçantë profesionistëve. Menaxherja e Programeve në organizatën Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Rina Kadiri tha se të rinjtë po largohen nga Kosova duke emigruar në vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian (BE), për shkak të kushteve jo të mira të krijuara për ta. “Këtë vit në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë jemi fokusuar në dukurinë e migrimit duke pasur parasysh që shumë të rinj po e lënë Kosovën, për arsye të ndryshme, kryesisht pse shteti i Kosovës nuk po u ofron mundësitë që duhet për të rinjtë dhe mbi të gjitha të drejtat e njeriut nuk respektohen”, theksoi Kadiri. Dita Ndërkombëtare e Rinisë që shënohet më 12 gusht është caktuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1999 si një mundësi për qeveritë për të tërhequr vëmendjen për çështjet mbi të rinjtë në mbarë botën.