MACRON E FTOI MILLATOVIQIN PËR NJË VIZITË ZYRTARE NË PARIS

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka pranuar ftesë për vizitë zyrtare në Paris nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, njoftoi Shërbimi Informativ i Presidentit të Malit të Zi.

“Besoj se ky është momenti i duhur që Mali i Zi të bëhet anëtari i parë i ardhshëm i Bashkimit Evropian”, tha presidenti Millatoviq.

Ai theksoi se në këtë mënyrë do të dërgohej sinjal për vendet e rajonit se ka dritë në fund të tunelit dhe se procesi i integrimit evropian është jetik.

Presidenti Macron e uroi Presidentin Millatoviq për fitoren e tij bindëse në zgjedhje, marrjen e detyrës dhe tha se rruga e tij profesionale është një bazë e mirë për realizimin e synimeve të politikës së jashtme të Malit të Zi.

“Macron vuri në dukje se Bashkimi Evropian ka nevojë për një dinamikë të re në rajon dhe se në këtë kontekst, Franca do të jetë avokate për përmirësimin e procesit integrues të Malit të Zi në periudhën e ardhshme”, thuhet në njoftim.

SHARE