Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dakordimi mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për pikat që synojnë të shtensionojnë situatën në veri të vendit, “do të ndihmojë në përforcimin e fokusit dhe vendosjen e barazisë midis palëve”.
“Të dyja palët [Kosova dhe Serbia] duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian”, tha kryeministri kosovar.
Duke listuar pikat për të cilat është rënë dakord në Bratisllavë, mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe emisarit evropian, Mirosllav Lajçak, kryeministri kosovar në mbledhjen e Qeverisë tha se ky dakordim synon të ndihmojë zbatimin e plotë të Marrëveshjës së Ohrit, të arritur në mars të këtij viti, dhe përsëriti se ajo marrëveshje duhet të zbatohet plotësisht.
“Të dy palët duhet ta pranojnë publikisht se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, gjë që nuk ka ndodhur ende nga pala serbe”, tha Kurti, dhe shtoi se “zbatimi i neneve të marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet”.
Kryeministri i Kosovës, duke iu referuar organizimit të zgjedheve të reja në veri të vendit, tha se qeveria e tij e ka me rëndësi që qytetarët e Kosovës të kenë përfaqësim lokal që i përfaqëson siç duhet, “por për të arritur këtë gjë është e domosdoshme të krijohet ambienti i cili e mundëson fushatën e mirëfilltë, pluralizmin politik, pjesëmarrjen e komuniteteve lokale, dhe që garanton paprekshmërinë e votes”.
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë udhërrëfyesin për shtensionimin e situatës veri të Kosovës.
“Ekziston një plan shumë i qartë dhe i përkushtuar për de-përshkallëzimin, një udhërrëfyes për të cilin të dyja palët punuan në fillim të këtij viti. Kjo është absolutisht jetike për të ecur përpara në një mënyrë paqësore. Dhe është e qartë se të dyja palët duhet të përmbushin atë që u ra dakord”, tha von der Leyen para fillimit të ditës së dytë të Samitit të NATO-s në Lituani.