KURTI: SIGURIA DHE MBROJTJA E EVROPËS SË KËTIJ SHEKULLI DO TË VENDOSET NË KËTË DEKADË

Kryeministri Albin Kurti, tha se BE-ja dhe NATO-ja duhet të bashkëpunojnë më shumë sepse siguria dhe mbrojtja e Evropës së këtij shekulli do të vendoset në këtë dekadë. Sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian, kryeministri shprehu besimin që rruga më e mirë përpara është me Procesin e Berlinit, pas fillimit të ri të nisur nga kancelari Scholz, thuhet në komunikatën për media. Ky Proces i Berlinit 2.0, siç e quajti kryeministri Kurti, do të sillte tregun e përbashkët rajonal dhe BE-në si vlerë dhe mekanizëm brenda të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Kur them vlera evropiane mendoj sundim i ligjit, të drejtat e njeriut, të drejtat qytetare, ballafaqimi me të kaluarën, demokratizimi, liria e mediave, të drejtat e minoriteteve”, tha ai. Për invazionin rus dhe agresionin ushtarak në Ukrainë, kryeministri tha se është detyrë urgjente për BE-në, dhe se beson që përveç shfaqjes së empatisë, simpatisë dhe solidaritetit ndaj popullit të Ukrainës dhe përpjekjeve të tyre për çlirim, duhet bërë gjithë atë që është e mundur për t’iu dalë në ndihmë atyre që ta çlirojnë veten.

SHARE