Në qytetin ukrainas Odesa është mbajtur Samiti Evropë Juglindore–Ukrainë, ndërkohë që Shqipëria u përfaqësua nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali, transmeton Anadolu.
Në fjalën e saj, Spiropali tha se janë sot në këtë samit për të rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Ukrainën.
“Jemi mbledhur në një moment me rëndësi të jashtëzakonshme. Samiti Ukrainë–Evropa Juglindore nuk është thjesht një tjetër takim në kalendarin diplomatik. Ai është një pikë bashkimi, një rikonfirmim kolektiv i vlerave tona të përbashkëta: paqes, sovranitetit dhe stabilitetit rajonal. Mbi të gjitha, ndodhemi këtu për të shprehur solidaritetin tonë të palëkundur me Ukrainën në luftën e saj të drejtë dhe heroike për të mbrojtur pavarësinë, demokracinë dhe popullin e saj”, tha ajo.
Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, Spiropali theksoi se kjo luftë ka tronditur themelet e rendit ndërkombëtar.
“Agresioni i Rusisë është më shumë se një shkelje e integritetit territorial të Ukrainës. Ai është një goditje ndaj parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Është një sfidë ndaj demokracisë, dinjitetit njerëzor dhe të drejtës së çdo kombi, të madh apo të vogël, për të përcaktuar vetë fatin e tij”, u shpreh Spiropali.
Ajo ka shtuar se duhet të vijojnë mbështetjen e palëkundur politike, ushtarake dhe humanitare për Ukrainën.
Në kuadër të samitit, kryeparlamentarja Spiropali është takuar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, dhe liderë të vendeve të tjera.