MILLATOVIQ: MBËSHTETJE PËR NJË PAQE AFATGJATË, TË QËNDRUESHME DHE TË DREJTË NË UKRAINË

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, qëndroi në Ukrainë ku, me ftesë të presidentit të këtij vendi, Volodimir Zelenski, mori pjesë në Samitin e katërt Ukrainë – Evropë Juglindore, që u mbajt në Odesa.

“Jemi mbledhur sot në Odesa, një qytet me rëndësi të veçantë historike për Ukrainën. Ky është samiti i parë që mbahet në Ukrainë, pas tre të mëparshmëve që janë mbajtur në Athinë, Tiranë dhe Dubrovnik. Sot këtu janë përfaqësues nga dhjetë vende të Evropës Juglindore. Përveç presidentit Zelenski, janë të pranishëm shtatë krerë shtetesh apo qeverish, një kryetare parlamenti dhe dy zëvendëskryeministra. Pra, një samit në nivel shumë të lartë,” tha Millatoviq.

Ai theksoi se mesazhi më i rëndësishëm që u dërgua sot nga Odesa është – mesazhi i mbështetjes për një paqe afatgjatë, të qëndrueshme, dhe të drejtë në Ukrainë.

“Natyrisht, hapi i parë drejt kësaj do të ishte armëpushimi dhe ndalimi i të gjitha konflikteve në Ukrainë. Dhe sot, ne së bashku e dërguam këtë mesazh nga Odesa. Ky qytet përballet çdo ditë me veprime ushtarake dhe bombardime. Dy net më parë, këtu u godit edhe një maternitet. Ndjenja është e hidhur, është e rëndë të jesh në një vend të goditur nga lufta, që çdo ditë përballet me pasojat që sjell lufta. Mendoj se për këtë arsye është me rëndësi që jemi të gjithë këtu sot – për të dërguar një mesazh mbështetjeje për Ukrainën dhe një mesazh mbështetjeje për paqen,” u shpreh Millatoviq.

Ai kujtoi se Mali i Zi që nga fillimi i luftës ka mbështetur Ukrainën dhe se do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen, si në aspektin politik ashtu edhe në atë humanitar.

“Sot në Samit theksova gjithashtu se Mali i Zi, si vend udhëheqës në procesin e integrimit evropian, i gëzohet sinqerisht çdo përparimi që Ukraina bën në këtë rrugë. Bashkimi Evropian ka filluar negociatat me Ukrainën dhe pritet që deri në fund të këtij viti të hapet klasteri i parë, kështu që Mali i Zi, si vendi udhëheqës dhe si anëtarja e ardhshme e parë, gëzohet për hapat përpara që po bën Ukraina në këtë drejtim,” tha Millatoviq.

Ai theksoi se është e rëndësishme që kjo ngjarje të përmbyllet me mesazhin për mbështetjen e vendosjes së paqes në Ukrainë.

“Një paqe që duhet të vijë sa më parë. Një armëpushim që duhet të ndodhë sa më shpejt. Dhe në këtë kuptim, ky takim sot në Odesa ishte një mesazh i rëndësishëm,” theksoi presidenti Millatoviq.

SHARE