MALI I ZI SIGURON 80 MILIONË EURO GRANTE NGA FONDET E BE-së

Foto: EPA-EFE/STEPHANIE LECOCQ

Mali i Zi ka siguruar zyrtarisht 80 milionë euro ndihma të pakthyeshme nga Instrumenti i Ndihmës së Parapërgatitjes së Bashkimit Evropian (IPA III), duke shënuar një hap të rëndësishëm në përdorimin e fondeve evropiane dhe për mbështetjen e reformave kyçe para anëtarësimit në BE, njoftoi Ministria e Financave.

Këto fonde janë të ndara në dy programe operacionale për periudhën 2024–2027: për punësim dhe përfshirje sociale (31.6 milionë euro) dhe për mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike (48.5 milionë euro).

Ministri i Financave, Novica Vukoviq, tha se këto mjete do të investohen drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, përmes forcimit të punësimit, përfshirjes sociale dhe mbrojtjes së mjedisit.

Suksesi u arrit falë bashkëpunimit të institucioneve dhe mbështetjes së Komisionit Evropian, ndërsa programet synojnë përforcimin e kapaciteteve institucionale, zhvillimin e tregut të punës dhe përmbushjen e standardeve evropiane në fushën e mjedisit.

Ministria e Punës dhe Ministria e Ekologjisë do të koordinojnë zbatimin e këtyre fondeve, ndërsa Ministria e Punëve Publike garanton menaxhimin efikas dhe transparent të mjeteve.

SHARE