INFLACIONI NË MAJ ARRITI NË 3.9 PËR QIND

Foto: Shutterstock

Çmimet e produkteve dhe shërbimeve të konsumit personal, të matur me indeksin e çmimeve të konsumit, në maj janë rritur mesatarisht për 3.9 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e Monstat.

Në krahasim me prillin, çmimet e konsumit janë rritur mesatarisht për 0.6 për qind në maj. “Rritja më e madhe mujore e inflacionit është shkaktuar nga çmimet e frutave, mishit, qumështit, djathit dhe vezëve, shërbimeve të akomodimit, vajrave dhe yndyrnave, veshjeve, shërbimeve të mirëmbajtjes dhe riparimit të banesave, si dhe restoranteve dhe kafeneve,” theksohet në njoftimin e Monstat.

Në periudhën janar-maj, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet e konsumit u rritën mesatarisht për 3.1 për qind.

Sipas grupeve kryesore të produkteve dhe shërbimeve sipas qëllimit të konsumit, në maj u regjistrua rritje mujore në grupet e restoranteve dhe hoteleve (1.9%), ushqimit dhe pijeve joalkoolike (1.5%), pijeve alkoolike dhe duhanit (0.9%), mallrave dhe shërbimeve të tjera (0.6%), veshjeve, këpucëve dhe shëndetit (secila me 0.4%), si dhe banesës, ujit, energjisë, gazit dhe karburanteve dhe në rekreacion dhe kulturë (secila me 0.2%).

Nga ana tjetër, u regjistrua ulje çmimesh në grupin e transportit për 1.5 për qind dhe komunikimeve për 0.1 për qind.

SHARE