EVROPË, 100 MIJË VIKTIMA NGA I NXEHTI / SHIFRA TRONDITËSE, FËMIJËT E TË MOSHUARIT NË RREZIK

Në periudhën dyvjeçare 2022-2023, rreth 100,000 persona humbën jetën në 35 vende evropiane për shkak të valëve të nxehtësisë, një numër dramatik që thekson se kriza klimatike është bërë edhe një krizë serioze shëndetësore.

Për të përballuar këtë emergjencë, dega evropiane e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur Komisionin Pan-Evropian për Klimën dhe Shëndetin, një nismë e re që synon të transformojë politikat shëndetësore për të adresuar kërcënimet mjedisore më serioze.

Ky grup, i përbërë nga 11 komisionerë të nivelit të lartë, do të hartojë propozime praktike, të qëndrueshme dhe të zbatueshme për të forcuar sistemet shëndetësore, duke i bërë ato më rezistente ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike.

“Ndryshimi i klimës tashmë po na prek në mënyrë të ndjeshme,” tha Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Europën. Ai theksoi se Evropa është rajoni i OBSH-së që po ngrohet më shpejt në botë.

Përveç valëve ekstreme të nxehtësisë, po shtohen dukshëm ngjarjet ekstreme të motit si përmbytjet, përhapja e sëmundjeve infektive që transmetohen nga insektet, dhe efektet psikologjike, përfshirë fenomenin e njohur si eko-ankthi.

Një në dhjetë qytetarë në qytetet evropiane jeton në zona me rrezik të lartë për përmbytje, ndërsa ndryshimi i klimës ka bërë që këto përmbytje të jenë nëntë herë më të mundshme.

Sipas të dhënave, që nga viti 2020, katër nga pesë vitet kanë qenë ndër më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë në Europë. Me rreth 80% të popullsisë evropiane që pritet të jetojë në zona urbane deri në vitin 2030, cenueshmëria ndaj këtyre ndikimeve do të rritet ndjeshëm.

Ata që paguajnë çmimin më të lartë janë grupet më të prekshme, si fëmijët, të moshuarit dhe gratë shtatzëna. Efektet shëndetësore të ndryshimeve klimatike manifestohen në forma të ndryshme, përfshirë sëmundjet e frymëmarrjes, goditjet nga nxehtësia, infeksionet dhe një valë në rritje të çrregullimeve psikologjike të lidhura me traumat mjedisore.

SHARE