Mali i Zi ka bërë gjithçka për të përmbushur kushtet e nevojshme për marrjen e IBAR-it, dhe sipas njohurive tona, ekziston një konsensus midis shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për dhënien e një raporti pozitiv për përmbushjen e standardeve të përkohshme, tha kryenegociatori i Malit të Zi me BE-në, Predrag Zenoviq.
„Me miratimin e ligjeve të rëndësishme të IBAR-it, ligjeve që lidhen me gjyqësorin, median, luftën kundër dhe parandalimin e korrupsionit dhe fusha të tjera të rëndësishme, Mali i Zi përmbushi gjithçka që kërkohej prej tij në këtë proces kompleks, duke lënë segmente të vogla të standardeve të caktuara të pa adresuara për momentin, por duke zhvilluar harta shumë të qarta rrugore se si të arrihet sukses i plotë në ato segmente,“ tha Zenoviq.
Ai përkujtoi se me hapjen e kapitujve 23 dhe 24, Mali i Zi mori 83 standarde të përkohshme që duheshin përmbushur dhe sipas metodologjisë së re të miratuar në vitin 2020, asnjë kapitull i vetëm nuk mund të mbyllet para se të përmbushen standardet e përkohshme në kapitujt që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.
„Në periudhën që lam pas, institucionet malazeze arritën t’u përgjigjen pikërisht këtyre kërkesave dhe të përmbushin standardet e përkohshme në kapitujt 23 dhe 24, veçanërisht në periudhën shumë intensive të gjashtë muajve të fundit, në të cilën u zhvillua një dialog intensiv ndërmjet Komisionit Evropian dhe institucioneve malazeze dhe të gjitha me synimin për t’iu përgjigjur standardeve të mbetura të paplotësuara,“ tha Zenoviq.
„Ne presim që në kuadrin e presidencës belge të organizohet një Konferencë Ndërqeveritare në ditët në vijim dhe që Mali i Zi të marrë një raport pozitiv mbi përmbushjen e standardeve të përkohshme për kapitujt 23 dhe 24,“ tha kryenegociatori i Malit të Zi me Bashkimin Evropian.