Në kundërsulmin e saj kundër pushtimit rus, Ukraina njoftoi më 12 qershor se kishte çliruar vendbanimin e katërt në rajonin lindor të Donjeckut.
Gjatë 24 orëve të fundit, forcat ukrainase dhe ruse vazhduan të angazhoheshin në luftime intensive në të njëjtin rajon.
“Flamuri kombëtar po valëvitet përsëri mbi [fshatin] Storozhove, dhe kështu do të jetë me çdo vendbanim derisa ta çlirojmë të gjithë tokën ukrainase”, njoftoi qendra e shtypit e forcave ukrainase më 12 qershor, në një mesazh të shoqëruar me një video ku shiheshin ushtarët ukrainas duke patrulluar nëpër fshat.
Ukraina më 11 qershor tha se tri fshatra të rajonit të Donjeckut – Makarivka, Neskuçne dhe Blahodatne – ishin rimarrë nga forcat e Kievit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, lavdëroi trupat ushtarake ukrainase gjatë paraqitjes së tij të përditshme me video.
“Sigurisht, u jam mirënjohës ushtarëve tanë për këtë ditë”, tha Zelensky, duke iu referuar vetëm dy sektorëve kryesorë të luftimeve në lindje dhe jug.
Zelensky të shtunën dha sinjalin e tij më të fortë se Kievi ka nisur kundërsulmin e shumëpritur për të rimarrë tokën në lindje dhe jug, duke konfirmuar se po zhvilloheshin “operacione kundërsulmuese dhe mbrojtëse”.
Autoritetet e Kievit kanë zbatuar një periudhë rigoroze të heshtjes operacionale dhe u kanë bërë thirrje ukrainasve që të përmbahen nga ndarja e çdo informacioni që mund të rrezikojë operacionin.