SHBA DHE KINA ARRIJNË MARRËVESHJE / ULEN TARIFAT TREGTARE, PAUZË 90 DITORE E MASAVE

Foto: RTSH

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina janë pajtuar për një ulje të ndjeshme të tarifave doganore për mallrat që shkëmbejnë me njëra-tjetrën, pas negociatave të zhvilluara fundjavën e kaluar.

Duke folur në Gjenevë, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se “të dyja palët do t’i ulin tarifat doganore për 115 për qind”, pasi janë marrë vesh për një pezullim 90-ditor.

Ministria kineze e Tregtisë ka konfirmuar pezullimin e “të gjitha masave kundërdoganore” të ndërmarra ndaj SHBA-së që nga 2 prilli, raporton Reuters.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt shtensionimit të luftës tregtare, që ishte intensifikuar muajin e kaluar.

Që prej ardhjes në detyrë në janar, presidenti amerikan, Donald Trump, ka rritur tarifat për importet nga Kina në 145 për qind, përveç atyre që kishte vendosur gjatë mandatit të tij të parë dhe tarifave të shtuara nga administrata e presidentit Joe Biden.

Kina është përgjigjur duke kufizuar eksportin e disa mineraleve të rralla dhe duke rritur tarifat për mallrat amerikane në 125 për qind, si dhe duke vendosur tarifa shtesë për produkte të caktuara, përfshirë sojën dhe gazin natyror të lëngshëm.

Bessent u tha gazetarëve se “të dyja palët treguan respekt të madh” gjatë bisedimeve dhe se “të dyja duan një tregti të balancuar”.

SHARE