NË SHQIPËRI VAZHDON NUMËRIMI I VOTAVE, KRYESON PARTIA SOCIALISTE

Foto: AA

Në Shqipëri po vazhdon procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare, ku kryeson partia në pushtet, Partia Socialiste (PS), e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nga 2.599 qendra të numëruara, nga 5.225 në total, PS-ja është në avantazh me 52,72 për qind të votave. Raportohet se numri i mandateve të deputetëve që siguron PS-ja paraprakisht është 83.

Koalicioni i drejtuar nga partia më e madhe opozitës, “Partia Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore-PD-ASHM”, renditet i dyti me 33,98 për qind, ose paraprakisht 50 mandate.

Sipas të dhënave të publikuara në uebfaqen e KQZ-së, Partia Socialdemokrate renditet e treta me 3,91 për qind për qind të votave ose 3 mandate.

Gjithashtu raportohet se mandate kanë siguruar edhe disa parti të tjera të reja, si Partia Mundësia 2, Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” 1 dhe Partia Lëvizja Bashkë 1 mandat.

Ndërkohë, pjesëmarrja në zgjedhje, sipas të dhënave nga 3.037 qendra votimi të përpunuara, është 42,21 për qind.

Në Shqipëri të dielën u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ku u votua për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 mandate.

Të drejtën e votës e kishin 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit. Risia kryesore e zgjedhjeve ishte votimi nga jashtë Shqipërisë, pasi për herë të parë votojnë edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Procesi i votimit për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit filloi më 15 prill 2025 në rrugë postare.

SHARE