Foto: IndeksOnline
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it, si dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Për Kurtin, tema kryesore e diskutimit ishte anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa për disa nga përfaqësuesit e QUINT-it, ishte krijimi i institucioneve të reja në Kosovë.
“Kryeministri Kurti u shpreh se Kosova tashmë i ka përmbushur kriteret ligjore dhe institucionale për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, siç është vlerësuar edhe nga Asambleja Parlamentare dhe raportuesja për anëtarësimin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Në njoftim thuhet më tej se kryeministri Kurti paralajmëroi se vonesat e mëtejshme në anëtarësim po ua mohojnë qytetarëve të Kosovës të drejtën për qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kosova ishte afër anëtarësimit vitin e kaluar, por çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e la atë jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, kur edhe do të vendosej për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë.
Kusht i disa vendeve anëtare të saj, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, ishte që Kosova ta çonte së paku për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese një draft-statut të diplomatëve perëndimorë për Asociacionin.
Në fund të njoftimit thuhet se, ndër të tjera, është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit politike në vend.
Prej disa javësh, përfaqësuesit politikë nuk po arrijnë ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Deri më tani janë mbajtur 14 seanca, në të cilat deputetët kanë dështuar të zgjedhin kryetarin e Kuvendit.