Foto: Reuters
Shqipëria dhe Mali i Zi mund të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian (BE) përpara vendeve të tjera kandidate, ka deklaruar Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta.
Ai këtë e tha në një intervistë për Euronews, në prag të vizitës së tij në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kosta theksoi se zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor është sërish një nga prioritetet e BE-së, duke shtuar se stabiliteti dhe mirëqenia e ardhshme e kontinentit varen nga ky zgjerim.
Duke komentuar datat e mundshme për anëtarësim dhe sugjerimet se kjo mund të ndodhë në vitin 2030, Kosta tha se nuk ka një datë të saktë.
“Pse viti 2030? Pse jo më herët?”, pyeti Kosta.
Ai theksoi se procesi i anëtarësimit është i bazuar në merita.
“Nëse vendet zbatojnë reformat, ato mund t’i bashkohen BE-së edhe përpara vitit 2030,” tha Kosta.
Sipas tij, janë pikërisht meritat ato që mund ta ndryshojnë këtë dinamikë.
“Shqipëria dhe Mali i Zi janë dukshëm më të avancuara krahasuar me vendet e tjera kandidate,” deklaroi Kosta.
Ai gjithashtu vuri në dukje luftën e Rusisë në Ukrainë dhe rritjen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe mes Serbisë dhe Kosovës.
“Nuk shoh ndonjë nxitje më të mirë për tejkalimin e konflikteve ende të hapura sesa këtë mundësi ndoshta unike – anëtarësimin në BE,” tha Kosta.
Antonio Kosta do të mbërrijë më 14 maj për një vizitë zyrtare në Mal të Zi.