Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviq, organizoi një pritje për Ditën e Diplomacisë së Malit të Zi në Cetinë.
Ai theksoi se kjo është një ditë për të shprehur respekt për arritjet e diplomacisë malazeze, si dhe për figurat që kanë shënuar këtë fushë për dekada me radhë.
“Sot për herë të parë shënojmë 6 majin, Ditën e Diplomacisë së Malit të Zi, e cila u vendos me vendim të Qeverisë në korrik të vitit 2024. Me këtë akt, tregojmë respekt të lartë për vlerat e pavdekshme të diplomacisë dhe historinë e lavdishme të Malit të Zi, i cili ka ruajtur marrëdhënie të mira me Lindjen dhe Perëndimin. Këto marrëdhënie të mira, respekti për të tjerët dhe për ata që janë të ndryshëm, janë baza e marrëdhënieve të mira me të gjithë ata me të cilët ndajmë vlera dhe vizione të njëjta”, tha Ibrahimoviq.
Rrjeti konsullor, siç shtoi ai, përmes shekujve ka ngritur reputacionin e shtetit të Malit të Zi, prandaj kjo ditë është gjithashtu një homazh për figurat e shquara që e kanë krijuar atë.
Ibrahimoviq theksoi se intensifikimi i marrëdhënieve bilaterale me shtetet e BE-së është detyra kyçe në veprimtarinë e jashtme të shtetit.
Me fokus kryesor në integrimet evropiane, Mali i Zi mbetet i përkushtuar për të dinamizuar bashkëpunimin e gjithanshëm dhe me shtetet e tjera të botës.
“Veçanërisht, angazhohemi për pozicionimin e vendit tonë në rajon dhe ofrojmë një kontribut të vazhdueshëm në stabilitetin dhe vazhdimin e dialogut politik. Suksesi më i madh u arrit më 5 qershor 2017, kur u bëmë anëtar të NATO-s, që është një garanci për sigurinë kombëtare, ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial. Po zbatojmë me përkushtim reforma dhe aktivitete për realizimin e qëllimit më të rëndësishëm – anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Jam i bindur se në vitin 2028 do të jemi anëtar të BE-së”, theksoi Ibrahimoviq.