ARRIHET ARMËPUSHIMI MES INDISË DHE PAKISTANIT, U NDËRMJETËSUA NGA SHBA

Foto: AA

India dhe Pakistani arritën marrëveshje për armëpushim të plotë, pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, për t’i dhënë fund përleshjeve mes tyre.

Ka javë që këto dy vende fqinje – të armatosura me armë bërthamore – kanë shkëmbyer zjarr ndaj njëri-tjetrit, pas një sulmi vdekjeprurës ndaj turistëve muajin e kaluar për të cilin India e fajësoi Pakistanin.

Këto ishin përleshjet më të mëdha mes tyre ndër dekada dhe shkaktuan dhjetëra viktima civile në të dyja palët.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ishte i pari që njoftoi për arritjen e armëpushimit mes Indisë dhe Pakistanit, duke thënë se ato pajtohen për armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm.

“Urime të dyja vendeve për përdorimin e arsyes së shëndoshë dhe inteligjencës së madhe. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!”, shkroi Trump në Truth Social.

India dhe Pakistani, të cilët fituan pavarësinë nga Britania në vitin 1947, kanë zhvilluar tri luftëra të plota në vitet 1948, 1965 dhe 1971, si dhe një konflikt të kufizuar në vitin 1999.

SHARE