VUÇIQ PAS TAKIMIT ME LAJÇAKUN: JAM I SHQETËSUAR PËR SITUATËN NË VERI

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak, është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 12 maj në Beograd.

Vuçiq, pas takimin me Lajçakun, tha se ia ka përcjellë shqetësimin e tij për situatën në Kosovë, “veçanërisht në veri”.

“I thashë ndërmjetësuesit evropian se shqetësimi im buron nga nevoja e [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurtit për të provokuar incidente dhe konflikte”, tha Vuçiq.

Vuçiq, gjithashtu, në një postim në Instagram tha se fokusi i takimit ishte formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, “që është parakusht që Serbia t’i vazhdojë bisedimet e mëtejshme me Prishtinën”.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Lajak njoftoi për takimin e tij me presidentin Vuçiq dhe kryenegociatorin Petar Petkoviq, prej ku tha se me ta diskutoi rrugën përpara në zbatimin e Marrëveshjes.

“Takimi i kryenegociatorëve të hënën e ardhshme është një mundësi e mirë për të rënë dakord për hapat e ardhshëm konkretë”, shkroi Lajçak.

SHARE