KRERËT E FINLANDËS PAJTOHEN: BASHKIM ME NATO-N SA MË PARË

Presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto dhe kryeministrja e këtij shteti, Sanna Marin, kërkuan njëzëri që Finlanda të anëtarësohet në NATO, “pa vonesa”. Të dy liderët thanë në një deklaratë të përbashkët se presin vendimin në ditët në vijim. “Finlanda duhet të aplikojë menjëherë për anëtarësim në NATO. Hapat kombëtarë që ende nevojiten për të dalë me këtë vendim, do të merren me shpejtësi brenda ditëve të ardhshme. Anëtarësimi në NATO do të forconte sigurinë e Finlandës dhe hyrja e saj do të forconte nga ana tjetër të gjithë aleancën mbrojtëse”, thuhet në deklaratë Kjo deklaratë është sinjali më i fortë deri tani se Finlanda do të kërkojë vërtet anëtarësimin në aleancën e Atlantikut Verior, një lëvizje kjo historike për vendin nordik që prej dekadash të tëra ka preferuara të ruajë një politikë neutraliteti. Kjo lëvizje e liderëve vendas vjen pas rritjes së mbështetjes së publikut për anëtarësimin e Finlandës në NATO që u nxit nga pushtimi i Ukrainas. Finlanda që ndan një kufi prej 1,300 kilometrash me Rusinë, tani ndien rrezik. Ajo ka qëndruar deri më tani jashtë NATO-s pikërisht për të shmangur antagonizmin e fqinjit të saj lindor. Kremlini reagoi pas njoftimit se Finlanda është pozicionuar për anëtarësim në NATO, duke thënë se një lëvizje e tillë nuk do ta ndihmojë stabilitetin dhe sigurinë në Europë dhe se do të perceotohet si kërcënim i drejtpërdrejtë nga Rusia, e cila do të marrë masa shpaguese.

SHARE