Në procesin e demarkacionit me kryeqytetin, komuna e Tuzit kërkon që të ndahet e gjithë prona në pronësi të Podgoricës dhe besojnë se rreth 15 për qind e totalit të pronës së përbashkët i takon atyre, proporcionalisht me territorin dhe numrin e banorëve.
Anëtari i Komisionit për krijimin e kushteve për punë të komunës së sapoformuar në emër të komunës së Tuzit dhe njëherësh ministër aktual i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj duke iu përgjigjur pyetjes së „Vijesti-t“ se si kanë arritur në atë përllogaritje, ai tha “në bazë të territorit, numrit të banorëve dhe të dhënave nga regjistrimi i mëparshëm”.
“Kur ke vlerën e gjithë pronës së Kryeqytetit, atëherë shpërndahet sipas vlerës, çdo pjesë e pronës ka një vlerë. Së pari ndahet ajo që ka mbetur në komunën që është ndarë dhe nëse ka ende pronë që i takon, bëhet marrëveshje ose arbitrazhi vendos se çfarë tjetër do t’u takojë”, tha Gjeloshaj, duke iu përgjigjur pyetjes se si mendojnë se duhet të ndajë pronën.
Ai tha se nuk kanë informacione për totalin e pasurisë së Kryeqytetit, duke thënë se do të bëhet vlerësimi i pasurisë së qytetit dhe të gjitha institucioneve dhe kompanive ku Kryeqyteti është themelues.
Gjeloshaj tha se vlerësuesit do ta përcaktojnë shumën prej 15 për qind në para dhe konfirmoi se nëse diçka nuk mund të ndahet, komuna e Tuzit do të kërkojë kompensim monetar.
Ai shpreson që të gjitha këto çështje të zgjidhen në mbledhjet e Komisionit për Demarkacionin e Tuzit dhe Podgoricës: „Nëse jo, komisioni i arbitrazhit do t’i përcaktojë të gjitha këto”, tha Gjeloshaj.
Mbledhja e Komisionit për demarkacionin e Tuzit dhe Podgoricës do të mbahet në fund të javës së ardhshme.