TË SHTËNA ME ARMË NË NJË STACION METROJE NË NEW YORK, TË PAKTËN 13 TË PLAGOSUR

Të shtëna me armë janë regjistruar këtë të martë në stacionin e metrosë në Brooklyn, në New York. Mediat raportojnë se të paktën 13 persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa personi i dyshuar se hapi zjarr është ende në arrati. Dëshmitarët thanë se autori i dyshuar mbante një maskë antigaz. Zjarrfikësit dolën në rrugën afër metrosë pas raportimeve për zjarr dhe gjetën se disa persona ishin qëlluar dhe po ashtu gjetën pajisje të pashpërthyer, tha zëdhënësi i Departamentit të Zjarrfikësve në Nju Jork. Një fotografi e postuar në rrjete sociale tregon njerëz që ndihmonin pasagjerët e gjakosur të cilët ishin të shtrirë në stacionin e metrosë. “Derisa të mbledhim më shumë informacione, u bëjmë thirrje njujorkezëve që të qëndrojnë larg kësaj zone për sigurinë e tyre dhe në mënyrë që zyrtarët të mund të ndihmojnë ata që kanë nevojë dhe të hetojnë rastin”, shkroi në Twitter Fabrien Levy, zëdhënësi i kryebashkiakut të Nju Jorkut.

SHARE