Kuvendi i Shqipërisë ka votuar të enjten kundër heqjes së imunitetit të ish-zëvendëskryeministres, Belinda Balluku, pasi prokurorët kishin kërkuar autorizim për arrestimin e deputetes, e cila dyshohet për korrupsion.
Deputetët e partisë në pushtet të kryeministrit Edi Rama me 82 votat e tyre pamundësuan heqjen e imunitetit të Ballukut, duke nxitur protestë nga deputetët opozitarë brenda sallës së Kuvendit. Për heqjen e imunitetit të Ballukut, e cila u shkarkua nga Rama ditë më parë, nevojitej një shumicë e thjeshtë prej 71 votash.
Derisa diskutimi dhe votimi po ndodhte brenda Kuvendit, një numër protestuesish u mblodhën pranë ndërtesës duke iu përgjigjur thirrjes së liderit të Partisë Demokratike në opozitë.
Kryeministri Rama e mbështeti vendimin, duke thënë se Kuvendi “me plot të drejtë refuzoi heqjen e lirisë së një deputeteje në mungesë të plotë të kushteve për ta ndërmarrë një hap të tillë ekstrem”.
Ai shkroi në X se shumica e tij qeverisëse e bëri sot “pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Evropës, ku kalimi i kërkesave të prokurorisë jo për arrestin pa gjyq të një deputeti si kjo kërkesa e sotme, po për të filluar apo jo hetimet, nuk është askund si kalimi pa asnjë lloj kontrolli i kufijve në zonën Shengen”.
“Ai është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as karta bianka, as dyer të mbyllura për prokurorinë”, shtoi ai.









