SPAJIQ: GATI PËR DIALOG, DO TË PUNOJMË EKSKLUZIVISHT SIPAS LIGJIT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Delegacioni i komunës së Ulqinit, i kryesuar nga kryetari i saj Genci Nimanbegu, në takimin e sotëm në Podgoricë me kryeministrin Miloljko Spajiq ka njoftuar se po kërkon anulimin e tenderit për dhënien me qira të plazheve në atë komunë.

Qeveria zyrtarisht njoftoi se kryeministri Spajiq në mbledhjen e sotme ka theksuar se tenderi është i hapur dhe transparent, se rregullat janë të qarta dhe se në radhë të parë janë interesat e qytetarëve të Ulqinit dhe Malit të Zi.

“Është e rëndësishme para së gjithash që komuniteti lokal të jetë i kënaqur, por edhe gjithçka të jetë e ligjshme. Nga të dhënat e deritanishme nuk ka pasur mangësi procedurale në këtë proces. Nga ana tjetër, ne i kuptojmë shqetësimet e një pjese të komunitetit lokal dhe jemi të hapur për dialog të mëtejshëm që do të përfshinte qiramarrës të rinj potencialë”, tha Spajiq.

Në takim me kryeministrin, ata përsëritën kërkesat e tyre për anulimin e tenderit, aneksimin e marrëveshjeve ekzistuese të qirasë dhe miratimin e një ligji të ri për Zonën Bregdetare, pasi ky aktual është në fuqi që nga viti 2008.

“Qeveria nuk sheh asnjë bazë ligjore mbi të cilën mund të anulohet tenderi, por nëse dikush beson se ka pasur shkelje rregullore dhe mund ta vërtetojë, Qeveria është e gatshme ta shqyrtojë”, u përgjigj kryeministri.

Ai sugjeroi që nëse përfaqësuesit e komunës së Ulqinit e konsiderojnë të nevojshme, të angazhohen në një dialog mes të gjitha palëve të interesuara, për të pritur si duhet sezonin e ardhshëm turistik.

SHARE