Nga kabineti i kryetarit të komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu, kanë apeluar te Gjykata Kushtetuese që sa më shpejt të shqyrtojë nismën dhe urgjencën e dorëzuar nga qiramarrësit e njëzet plazheve në territorin e Komunës së Ulqinit.
„Ajo për të cilën kemi paralajmëruar që nga momenti kur Qeveria e Malit të Zi, në shkurt të këtij viti, përmes një grupi në WhatsApp, miratoi ndryshimet dhe plotësimet e Programit të objekteve të përkohshme në zonën e të Mirave Detare 2024-2028 – një dokument që nuk ka marrë pëlqimin e kryetarëve të komunave bregdetare dhe që është në kundërshtim me Ligjin ende në fuqi për planifikimin hapësinor dhe ndërtimin e objekteve – po merr pikërisht këto ditë epilogun e tij të padëshiruar, kryesisht në dëm të qytetarëve të Ulqinit,“ ka bërë të ditur zyra e kryetarit të komunës së Ulqinit.
Ata kanë apeluar te Gjykata Kushtetuese që sa më shpejt të shqyrtojë nismën dhe urgjencën e dorëzuar nga qiramarrësit e njëzet plazheve në territorin e Komunës së Ulqinit, aq më tepër kur bëhet fjalë për interesin publik. Vendimi i saj do të kishte për qëllim parandalimin e veprimeve të mëtejshme të paligjshme nga Qeveria e Malit të Zi dhe Ndërmarrja Publike për Menaxhimin e të Mirave Detare, të cilat po sjellin pasoja të rënda për qytetarët e Ulqinit.
„Nga e paligjshmja nuk mund të lindë e drejta dhe të gjithë janë të detyruar t’u përmbahen Kushtetutës dhe ligjeve,“ thuhet në deklaratë të zyrës së Nimanbegut.