INTELIGJENCA AMERIKANE: BALLKANI RREZIKON DESTABILITETIN

Shërbimet e inteligjencës së SHBA-së paralajmërojnë rrezik të shtuar të dhunës së lokalizuar ndëretnike këtë vit në Ballkanin Perëndimor, sidomos në Bosnjë e Hercegovinë ku kreu i Republikës Srpska, Millorad Dodik synon shkëputjen sipas tyre shkëputjen e këtij territori.

Në raportin e vlerësimit vjetor, komuniteti i inteligjencës amerikane paralajmëron gjithashtu edhe për gjasa trazirash në Kosovë ku tensionet u rritën skajshëm vitin e kaluar.

“Liderët nacionalistë ka shumë të ngjarë t’i acarojnë tensionet për të përfitime politike, ndërsa aktorët e jashtëm do t’i shfrytëzojnë dallimet etnike për ta rritur apo mbrojtur ndikimin e vet rajonal, apo për të mos e lejuar integrimin më të madh të Ballkanit në institucionet euroatlantike dhe të Bashkimit Europian”, thuhet aty.

Raporti detajon përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare që shkaktuan vdekje e lëndime përfshirë plagosjet e paqeruajtësve të NATO-së në vitin 2023”, ndërsa i mëshon incidentit të Banjskës ku një grup serbësh të armatosur sulmuan policinë e Kosovës e vranë efektivin Afrim Bunjaku.

Kosova, thonë autorët e raportit, e fajësoi Serbinë për sulmin duke thënë se ajo tentoi “ta aneksojë” veriun, por Serbia e ka mohuar çdo përfshirje.

Në lidhje me Bosnjë e Hercegovinën, raporti bën të qartë se “lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, po ndërmerr hapa provokues për ta neutralizuar mbikëqyrjen ndërkombëtare në Bosnjë dhe për ta siguruar de fakto ndarjen për Republikën e tij Sërpska”.

Kjo shihet si mjaft e rrezikshme, sepse veprimi i tij, konsiderohet se mund t’i nxisë liderët e popullsisë boshnjake, apo myslimanet e Bosnjës, t’i rrisin kapacitetet e veta për t’i mbrojtur interesat e veta dhe kështu mbase të nxisin konflikte të dhunshme, të cilat mund t’i tejkalojnë forcat paqeruajtëse.

SHARE