HUNGARIA, AVOKATE E ANËTARËSIMIT NË BE / NËNSHKRUHEN 2 MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI ME SHQIPËRINË

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari, vend i cili merr presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti.

Gjatë takimit me homologun hungarez, ministri Hasani vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE, teksa nënvizoi se marrëdhëniet mes dy vendeve forcohen dita-ditës.

Ministri Hungarez deklaroi se prioritet i presidencës të Këshillit Europian është zgjerimi i unionit, megjithatë nuk e mohoi se do jetë një betejë e fortë sepse pas dyerve të mbyllura ka vende që nuk duan zgjerimin e Bashkimit Europian.

Dy ministrat nënshkruan dy marrëveshje, të cilat kontribuojnë konkretisht për të thelluar lidhjet Shqipëri-Hungari.

Marrëveshja Stipendium për bashkëpunimin dypalësh në fushën e arsimit synon të forcojë bashkëpunimin përmes shkëmbimit të studentëve dhe përvojave në arsimin universitar dhe pas-universitar, deri në vitin 2027.

Ndërkohë që Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e diplomacisë synon vendosjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit për trajnimin e diplomatëve dhe shkëmbimin e informacionit në disiplinat akademike relevante.

SHARE