EVROPA MUND TË PËRBALLET ME PASOJA KATASTROFIKE NGA NGROHJA GLOBALE

Agjencia Evropiane e Mjedisit ka ngritur alarmin se Evropa mund të vuajë pasoja “katastrofike” të ndryshimeve klimatike nëse nuk merr masa urgjente.

Në analizën e parë evropiane të rreziqeve të lidhura me klimën, agjencia renditi 36 kërcënime që lidhen me klimën në Evropë, 21 prej të cilave kërkojnë veprim të menjëhershëm, ndërsa tetë u përshkruan si veçanërisht urgjente.

Rreziqet përfshijnë zjarret, mungesën e ujit dhe efektet e tyre në prodhimin bujqësor, ndërsa rajonet e ulëta bregdetare përballen me kërcënime të përmbytjeve, erozionit dhe depërtimit të ujërave të kripura, thuhet në raport.

Evropa është kontinenti me ngrohjen më të shpejtë në botë, duke u ngrohur me dyfishin e shkallës globale, sipas Agjencisë Evropiane e Mjedisit. Drejtuesja e kësaj agjencie Leena Yla-Mononen ka bërë të ditur se në verën e vitit 2022, 60,000 dhe 70,000 vdekje të parakohshme në Evropë u shkaktuan nga nxehtësia.

Zonat në Evropën Jugore janë më të rrezikuara. Megjithatë sipas ekspertëve kjo nuk do të thotë se Evropa Veriore është e kursyer nga ndikimi negativ, siç tregohet nga përmbytjet në Gjermani dhe zjarret në pyje në Suedi vitet e fundit.

Pa veprime më urgjente, shumica e 36 rreziqeve klimatike mund të godasin Evropën në “nivele kritike ose katastrofike” këtë shekull. Kjo përfshin rreziqet për shëndetin, prodhimin e të korrave dhe infrastrukturën dhe humbjet ekonomike vetëm nga përmbytjet mund të kalojnë 1 trilion euro në vit” deri në fund të shekullit.

SHARE