Në mes të tensioneve mes dy vendeve anëtare, SHBA-së dhe Danimarkës, lidhur me fatin e Groenlandës, NATO-ja ka nisur zyrtarisht misionin “Roja e Arktikut”, me qëllim forcimin e pranisë dhe pozicionit ushtarak të aleancës në këtë rajon strategjik dhe sfidues.
Diplomatë të aleancës thanë për REL se një angazhim i tillë mund të ndihmojë në zbutjen e krizës dhe stabilizimin e situatës.
Pas një takimi në Davos të Zvicrës mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, u vendos që aleanca të ketë një rol më të madh në zonën përreth Groenlandës, për të penguar ndërhyrjet e mundshme nga Kina dhe Rusia, si atje ashtu edhe më gjerë në Arktik.
Rutte deklaroi në Bruksel se për herë të parë, të gjitha aktivitetet e NATO-s në Arktik do të jenë nën një komandë të vetme.
Aleanca planifikon të shfrytëzojë kapacitetet ekzistuese, të identifikojë boshllëqet dhe t’i plotësojë ato, për shkak të rritjes së aktivitetit rus dhe kinez në rajon.
Komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropë, Alexus Grynkeëich, theksoi se misioni dëshmon përkushtimin e NATO-s për mbrojtjen e vendeve anëtare dhe ruajtjen e stabilitetit në një nga zonat më të rëndësishme strategjike dhe më sfiduese nga pikëpamja mjedisore.
Detajet mbi numrin e vendeve pjesëmarrëse dhe nivelin e trupave të angazhuara nuk janë bërë publike, por NATO ka konfirmuar se misioni do të jetë shumëdimensional, duke përfshirë operacione në ajër, det dhe tokë.
Shtatë nga tetë shtetet arktike janë anëtare të NATO-s, përjashtuar vetëm Rusia.
Megjithëse aktualisht nuk ka prani të shtuar të anijeve ruse apo kineze në ujërat përreth Groenlandës, kjo mund të ndryshojë me shkrirjen e akullit në Detin Arktik, i cili pritet të hapë rrugë të reja detare.








