Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u zgjodh sërish kryeministër i Republikës së Kosovës, pas përfundimit të një mandati të rregullt katërvjeçar nga viti 2021 deri në fillim të vitit 2025 dhe ushtrimit të detyrës gjatë pjesës më të madhe të vitit 2025.
Pas votimit në Kuvend kandidatura e Albin Kurtit mori 66 vota pro, 49 vota kundër dhe asnjë abstenim.
Albin Kurti ka prezantuar në Kuvendin e Kosovës programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kurti, gjatë fjalës së tij, vendosi një theks të veçantë te Reforma në Drejtësi, e cila sipas tij po bëhet realitet.
Kurti tha gjithashtu se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të vijojë pa frikë.
„Këto gati 5 vitet e fundit, nga të cilat 1 vit pa kompetenca të plota, kemi ndërtuar një Kosovë më të fortë e më gjithëpërfshirëse. Kemi pasur rritjen ekonomike më të lartë në rajon, përkundër sfidave globale, me një rritje prej 6 %. Vjet PBB ka arritur në 11 miliardë euro, nga 7 miliardë euro kur erdhëm në pushtet. Ndërkohë projektojmë që sivjet PBB të arrijë në 12 miliardë euro. Kemi forcuar policinë dhe mbrojtjen e ligjit, ushtrinë dhe mbrojtjen e vendit. Investuam në forcimin e ushtrisë dhe në luftën kundër kriminalitetit. Reforma në drejtësi në këtë mandat do të hyjë në fazën vendimtare. Do të vazhdojë lufta kundër korrupsionit dhe ligji do të zbatohet pa frikë e pa favore. Reforma në Drejtësi ka nisur të bëhet realitet. Ligji për Byronë Shtetërore duhet të ecë para bashkë me vettingun. Do themelohet Prokuroria e re e specializuar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit,“ deklaroi Kurti.
Në krye të Kuvendit të Kosovës është zgjedhur Albulena Haxhiu.
Për nënkryetarët e Kuvendit 104 deputetë pro, 3 deputetë kundër dhe 6 deputetë kanë abstenuar. Kështu Kuvendi zgjedh 5 nënkryetarët, që janë deputetët Ardjan Gola, Vlora Çitaku, Kujtim Shala, Sllav Kosimiç dhe Emilja Rexhapin.
Institucionet e reja formohen pas pothuajse një viti me Qeveri në detyrë dhe Kuvend gati tërësisht jofunksional. Kjo, pasi Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, nuk pati vota të mjaftueshme për të krijuar Qeverinë, por këtë e arriti pas zgjedhjeve të dhjetorit të po atij viti, në të cilat fitoi 57 mandate.








