Foto: Ilustrim
Gazeta zyrtare e Malit të Zi ka publikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për heqjen e nenit 35a të Ligjit për Tregtinë e Brendshme, i cili parashikonte ndalimin e punës të dielave në dyqane.
Meqenëse vendimi hyn në fuqi menjëherë pas publikimit, e diela e ardhshme, më 15 shkurt, do të jetë ditë pune.
Sipas dokumentit të publikuar nga Gazeta Zyrtare më 10 shkurt, Gjykata Kushtetuese ka vendosur heqjen e nenit 35a, duke eliminuar ndalimin e tregtisë me shumicë dhe pakicë të dielave dhe në ditët e festave shtetërore dhe të tjera.
Vendimi u mor nga Gjykata në përbërje me kryetaren Snezhana Armenko dhe gjyqtarët Jovan Jovanoviq, Desanka Lopiçiq, Dr. Nikolla Mugosha, Faruk Resulbegoviq dhe Momirka Teshiq, në seancën e mbajtur më 28 janar 2026.
“Neni 35a i anuluar parashikonte që tregtia me shumicë dhe pakicë nuk mund të ushtrohej të dielave dhe në ditët e festave shtetërore, përveç rasteve të veçanta si barnatoret, dyqanet speciale, stacionet e karburantit, tregjet, stendat dhe vende të tjera të veçanta tregtare”, thuhet në dokument.
Gjykata Kushtetuese, pas shqyrtimit të përmbajtjes së dispozitave të kontestuara, ka konstatuar se ato nuk janë në përputhje me Kushtetutën dhe janë përmbushur kushtet për anulimin e tyre.
Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, deklaroi më 7 shkurt se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për heqjen e nenit 35a është i detyrueshëm për të gjithë dhe nuk mund të interpretohet politikisht apo të relativizohet.
Ai theksoi se institucionet kanë përgjegjësi të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe se çdo zgjidhje e ardhshme duhet të jetë plotësisht e harmonizuar me vendimin e Gjykatës.
Gjeloshaj shtoi se nuk do të pranojë përpjekje për të injoruar vendimin ose për të rikthyer masa tashmë të shpallura të papajtueshme me Kushtetutën, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së besimit të qytetarëve te institucionet.









