Foto: ALBINFO
Të gjitha shkollat suedeze do të duhet të hartojnë plane për të mbajtur njerëzit e paautorizuar jashtë ambienteve të tyre, tha qeveria të mërkurën, ndërsa vendi po përpiqet të ngrejë kokën pas të shtënave masive që tronditën vendin, javën e kaluar.
Dhjetë persona u qëlluan për vdekje në shkollën Campus Risbergska në Orebro, përpara se autori i dyshuar, një 35-vjeçar suedez i vetmuar, të kthente armën nga vetja.
Sulmi ka ngritur pikëpyetje nëse duhet të përmirësohet siguria në shkollat e Suedisë.
Ndryshe nga shumë vende të tjera, shkollat përgjithësisht shihen si hapësira gjysmë publike dhe rrallëherë kanë kontrolle se kush hyn dhe kush del prej tyre.
Ministri i Arsimit Johan Pehrson tha në një konferencë për shtyp se të gjitha shkollat dhe institucionet parashkollore do të duhet të kenë një plan se si të mbajnë jashtë njerëzit e paautorizuar.
“Për shembull, mund të ketë një regjistër hyrjeje, kontrolle dhe një sistem automatik të mbylljes së dyerve”, tha ai, por shtoi se i takon shkollave individuale të përcaktojnë se çfarë funksionon më mirë për to.
Qeveria do të përshpejtojë gjithashtu legjislacionin që do ta bëjë më të lehtë për shkollat instalimin e kamerave të vëzhgimit, pa kërkuar leje të posacme, dhe do të lejojë personelin të kontrollojë çantat e nxënësve.
Qeveria e krahut të djathtë të Suedisë tha gjithashtu javën e kaluar se do të ashpërsonte ligjet për armët pasi sulmuesi dukej se kishte përdorur disa nga pushkët e tij të licencuara.