Foto: AA
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një letër drejtuar përfaqësueses së lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, ka informuar dhe denoncuar shtypjen sistematike që regjimi serb dhe Beogradi zyrtar po ushtrojnë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, transmeton Anadolu.
Nëpërmjet letrës të bërë publike në rrjetet sociale, Kurti ka theksuar se shqiptarët në këtë rajon përballen me diskriminim politik, administrativ, ekonomik, kulturor dhe identitar, duke rrezikuar sigurinë dhe ekzistencën e tyre.
Ndryshe nga kjo, Kurti ka thënë se komuniteti serb në Kosovë gëzon të drejta dhe liri, derisa shqiptarët në Serbi po përballen me pasivizim të adresave dhe spastrim etnik administrativ.
Sipas Kurtit, mbi 10 për qind e shqiptarëve janë fshirë nga listat e votuesve, duke u privuar nga e drejta për të votuar, ndërsa papunësia në zonat e banuara me shqiptarë ndryshon nga 30 deri në 70 për qind, shumë më e lartë se mesatarja e Serbisë prej 12 për qind.
“Përfaqësimi i shqiptarëve në institucione është tejet i ulët, me vetëm dy shqiptarë nga mbi 1 mijë punonjës në spitalin rajonal të Vranjës dhe vetëm 12 shqiptarë nga 2 mijë punonjës komunalë në Medvegjë”, ka shkruar Kurti.
Ai gjithashtu ka denoncuar ngritjen e bazave ushtarake serbe në Bujanoc dhe zonat përreth, si dhe vendosjen e 48 bazave operacionale në kufirin me Kosovën. Ai ka shprehur shqetësimin për shërbimin e detyrueshëm ushtarak të vendosur nga Serbia, duke e cilësuar atë kërcënim serioz që mund të sjellë shpërngulje masive të shqiptarëve.
Kryeministri kosovar ka bërë thirrje për reagim urgjent nga BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare, duke e cilësuar trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës si të kundërt me vlerat evropiane dhe demokratike.