TEMPERATURA EKSTREMISHT E ULËT BLLOKON MIJËRA TURISTË NË VERI TË FINLANDËS DHE SJELL PROBLEME NË EVROPËN VERIORE

Mijëra turistë janë bllokuar në veri të Finlandës, pasi fluturimet nga Aeroporti i Kittilës janë pezulluar për shkak të temperaturave ekstreme, që sipas ABCnews kanë arritur deri në -37°C. I ftohti i skajshëm, i cili ka zgjatur disa ditë, ka penguar operacionet aeroportuale dhe procesin e shkrirjes së akullit për avionët.

Kittila ndodhet në Lapland, një zonë pak e populluar në veri të Finlandës, dhe megjithëse banorët janë të mësuar me dimra të ashpër, këtë vit temperaturat janë më të ulëta se zakonisht.

Valë e të ftohtit ka përfshirë gjithashtu pjesë të gjerë të Europës veriore, qendrore dhe lindore, duke shkaktuar borë të dendur, erëra të forta dhe rrugë të mbuluara nga akulli, me rrezik të lartë për udhëtimin.

Në Gjermani, reshjet e dendura të borës shkaktuan vonesa dhe anulime të shumta në linjat hekurudhore, ndërsa autoritetet e North Rhine-Westphalia vendosën të mbyllin të gjitha shkollat dhe të zhvillojnë mësimin online.

Edhe në Estoni, Lituani dhe Letoni, autoritetet paralajmëruan shoferët të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme për shkak të stuhive të parashikuara dhe reshjeve të dendura të borës.

SHARE