SPAJIQ TAKOHET ME ORGANIZATAT JOQEVERITARE PËR EKOLOGJINË DHE KAPËRCIMIN E SFIDAVE NË KAPITULLIN 27 TË NEGOCIATAVE ME BE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të disa organizatave joqeveritare që merren me ekologjinë dhe mbrojtjen e mjedisit, me qëllim të vendosjes së një bashkëpunimi të ngushtë për përmbushjen e kritereve të kapitullit 27 të negociatave.

Gjatë takimit, kryeministri Spajiq rikujtoi planin që procesi i negociatave të përfundojë deri në fund të vitit 2026, duke theksuar se para shtetit qëndron një detyrë e madhe, ku të gjithë ndihmat, veçanërisht ato profesionale, janë jashtëzakonisht të rëndësishme.

Ai prezantoi Hartën e Rrugës për kapitullin 27, që përcakton obligimet e Malit të Zi për përmbylljen e këtij kapitulli, dhe shprehu pritshmërinë që sektori joqeveritar, me ekspertizën dhe përvojën e tij, të mbështesë përmbushjen e këtyre standardeve.

“Ekspertiza dhe përvoja e sektorit joqeveritar, veçanërisht gatishmëria juaj për të mbështetur procesin e integrimit evropian, është shumë e rëndësishme për shtetin dhe do të ketë një rol të madh në përmbylljen e kapitullit 27,” theksoi kryeministri.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare vënë në dukje sfida të shumta ekologjike dhe nënvizuan se arsimimi dhe parandalimi në fusha të ndryshme janë thelbësore për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm.

Ata gjithashtu theksuan nevojën për zbatim më të fuqishëm të politikave ndëshkuese dhe për forcimin e stafit dhe logjistikës të inspektorateve dhe shërbimeve profesionale përgjegjëse për zbatimin e ligjit.

Në takim u diskutua edhe për përputhshmërinë e projekteve zhvillimore me kërkesat e mbrojtjes së mjedisit, duke u vlerësuar se ekologjia dhe zhvillimi ekonomik nuk janë të kundërta, por përbëjnë kategori plotësuese. Potencialet natyrore të Malit të Zi shtojnë vlerë projekteve kur ato realizohen duke respektuar dhe mbrojtur mjedisin.

Duke pasur parasysh kohën relativisht të shkurtër dhe nevojën për shumë linja veprimi, u vendos formimi i grupeve të specializuara pune, që do të kontribuojnë në një bashkëpunim më efikas dhe implementim më të shpejtë të masave të nevojshme.

U dakordua gjithashtu që në ditët në vijim, në bashkëpunim me ministrin e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Damjan Qullafiq, dhe ministren për Çështjet Evropiane, Maida Gorçeviq, të përcaktohen hapat konkretë për bashkëpunimin e ardhshëm.

SHARE