Foto: predsjednik.me
Marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbahen mbi baza të forta partneriteti, vlerash të përbashkëta dhe besimi reciprok, është theksuar në takimin e presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i cili priti në vizitë lamtumirëse ambasadoren e SHBA-së, Judy Rising Reinke.
Presidenti i Malit të Zi i shprehu falënderimet ambasadores Reinke për angazhimin e saj të përkushtuar dhe mbështetjen e gjatë të Shteteve të Bashkuara në procesin e zhvillimit demokratik dhe institucional të Malit të Zi.
“U theksua veçanërisht ndihma e vazhdueshme e SHBA-ve në forcimin e kapaciteteve të institucioneve malazeze, përmirësimin e sundimit të ligjit, reformën e sistemit gjyqësor dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit,” thuhet në njoftim.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Malit të Zi dhe SHBA-ve mbahen mbi baza të forta partneriteti, vlerash të përbashkëta dhe besimi reciprok.
“Në këtë kontekst, u theksua gatishmëria për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe përmirësimin e lidhjeve ekonomike përmes mekanizmit të Dialogut Ekonomik,” thanë nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Presidentit.
Gjatë bisedës, u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Malit të Zi dhe SHBA-ve si aleatë brenda NATO-s.
“Presidenti Millatoviq vlerësoi përpjekjet e presidentit amerikan Trump për arritjen e një marrëveshjeje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë, duke theksuar se dialogu dhe angazhimi diplomatik përbëjnë parakushtet kryesore për një paqe të qëndrueshme,” thuhet në njoftim.
Po ashtu, u vlerësua se pjesëmarrja e ardhshme e presidentit në Lutjet e Mëngjesit në fillim të shkurtit në Uashington do të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve të përgjithshme ndërmjet Malit të Zi dhe SHBA-ve.









